Main navigation

MICHELANGELO PISTOLETTO

Michelangelo Pistoletto (1933, Itali) filloi të ekspozonte punët e tija në vitin 1955 ndërsa në 1960 organizoi ekspozitën e parë vetjake në galerinë Galatea, Torino.
Në vitet ’60, filloi të përdorë materialet e riciklueshme për të vënë në diskutim konsumizmin e shoqërisë duke u bërë kështu një nga eksponentët kryesorë të lëvizjes artistike Arte Povera, e cila u zhvillua në Itali gjatë viteve ’60-‘70. Në vitet 1965-1966 prezantoi serinë e punimeve “Oggetti in meno” që nuk paraqiste një unitet stilistik duke thyer standartin e kohës, sipas të cilit çdo artist duhet të kishte një stil që ta karakterizonte. Këto punë i sollën menjëherë famë ndërkombëtare në Europë dhe SHBA. Në vitin 1967, ai filloi të punonte jashtë hapësirave tradicionale të ekspozimit duke bashkuar në këtë mënyrë artistë të disiplinave dhe sektorëve të ndryshëm. Nga 1975-76 prezantoi një cikël prej 12 ekspozitash të njëpasnjëshme, Le Stanze në Galerinë Stein Torino. Kjo ishte seria e parë e një pune shumëvjeçare e titulluar “kontinentet e kohës”. Të tjera ishin Viti i Bardhë (1989) dhe Breshka e Lumtur (1992). Në 1978, në një ekpozitë në Torino, Pistoletto përcaktoi dy drejtimet kryesore të punës së tij artistike në vazhdim: Ndarjen dhe Shumëfishimin e Pasqyrave si dhe Arti merr vendin e Fesë. Në fillim të viteve ’80 ai realizoi një seri skulpturash në poliuretan që më pas u ekspozuan në mermer në Forte di Belvedere, Firenze. Nga 1985-1989 ai krijoi një seri volumesh “të errëta” të njohura si Arte dello Squallore. Gjatë viteve ’90 krijoi në qytetin e tij të lindjes Biella, Cittadellarte-Fondazione Pistoletto- dhe Unidee që ka për qëllim “të frymëzojë e të sjellë ndryshim në shoqëri përmes ideve dhe projekteve kreative”. Për kontributet e dhëna gjatë karrierës së tij artistike, në vitin 2003 fitoi Luanin e Artë në Bienalen e Venecias. Në vitin 2004, Universiteti i Torinos i dha titullin “honoris causa” në Shkenca Politike. Pikërisht në këtë rast, artisti shpalli atë që është edhe faza aktuale e kërkimit të tij artistik, Terzo Paradiso (Parajsa e Tretë), i cili u publikua si ese në gjuhën italiane, angleze, frënge dhe gjermane në vitin 2010. Në vitin 2012 filloi të promovonte Rebirth, një ditë “Rilindjeje” universale që festohet me datë 21 dhjetor të çdo viti me iniciativa artistike në të gjithë botën. Në vitin 2013, Muzeu i Luvrit në Paris priti ekspozitën e tij personale, “Année 1 – le paradis sur terre”. Po këtë vit ai mori çmimin Praemium Imperiale for painting në Tokio. Simboli i Terzo Paradiso u instalua në një nga hollet e zyrave qëndrore të Bashkimit Europian në Bruksel gjatë vitit të Presidencës së Italisë. Në maj 2015 mori titullin “honoris causa” nga Universiteti i Arteve në Havana- Kubë. Në tetor të po atij viti, realizoi skulpturën momumentale Rebirth në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.