Main navigation

ART HOUSE SCHOOL 2019

Edicioni i tretë i Art House School i titulluar “Beyond the Image” (19 gusht – 15 shtator 2019) ofroi një platformë krijuese e shkëmbimi mes artistëve, ku bashkëjetuan disponibiliteti miqësor me debatin kritik, respekti për mendimin ndryshe me ekzigjencën për të vërtetën si horizont kërkimi. Pjesëmarrësit Abi Shehu, Bib Frrokaj, Elton Gllava, Erdiola Mustafaj, Erjola Zhuka, Marlin Dedaj, Orestia Kapidani u përzgjodhën përmes një thirjeje të hapur të përbashkët mes Art House dhe Muzeut “Marubi”, e fokusuar në marrëdhënien e ngushtë që lidh autorin me imazhin dhe mundësitë komplekse që aktivizon ky raport.

Strukturës katër javore të Art House School ata i dhanë trajtë nëpërmjet prezantimeve të veprave të realizuara, diskutimeve mbi projekte apo intuita fillestare për punë që nuk kanë lindur akoma, lexime tekstesh e projektime filmash, refleksione e debate mbi argumente që do prezantohen nga të pranishmit, duke krijuar gjithashtu një hapësirë për kërkim individual e punë në studio.Të ftuar në dialog me pjesëmarrësit ishin artistët dhe kuratorët Chiaralice Rizzi, Alessandro Laita, Angelika Stepken, Pier Luigi Tazzi, François Cheval. Mentorë, Zef Paci e Lek M.Gjeloshi.      

Në përmbyllje të kësaj eksperience u hap në hapësirat e Muzeut “Marubi” dhe Art House ekspozita “Shtatë fotografë shqiptarë. Një rezidencë’ e kuruar nga François Cheval.